Pretendimi: Kjo video tregon sulmet e grupit rebel Houthi nga Jemeni në Izrael më 22 dhe 23 maj 2025
Verdikti: E pavërtetë
———————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon sulmet e grupit rebel Houthi në Izrael më 21 dhe 22 maj 2025.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet nga video e mësipërme janë botuar fillimisht në Tetor 2024 nga agjencia franceze e lajmeve AFP.
Sipas AFP, pamjet tregojnë “momentin kur një sulm izraelit godet një ndërtesë në lagjen Chiyah në jug të Beirutit,” kryeqytetit të Libanit.
Sipas raportimeve të BBC dhe Reuters nga ato data, të paktën 18 persona, përfshi 4 fëmijë, u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën në një sulm izraelit më 21 tetor 2024 pranë spitalit kryesor qeveritar të Beirutit. Sulmi goditi një zonë banimi përballë Spitalit Universitar Rafik Hariri. Izraeli tha se sulmi goditi një strukturë të Hezbollahut dhe jo spitalin.
Pamje të tjera nga video që tregojnë shkatërrimin e një tjetër godine po ashtu në fakt tregojnë sulmet izraelite në Beirut, jo sulmet e Houthi kundër Izraelit.
Sipas videos së AFP të botur më 22 nëntor 2024, pamjet e mësipërme tregojnë “momentin kur një sulm izraelit godet një ndërtesë në periferitë jugore të Bejrutit pas një thirrjeje për evakuim nga ushtria izraelite. Bastisjet e fundit vijnë pas sulmeve intensive izraelite në jug të Bejrutit, si dhe në zona të tjera në jug dhe lindje të Libanit, ku Izraeli thotë se ka synuar militantët e Hezbollahut të mbështetur nga Irani.”