Pretendimi: Ky çaj bimor trajton papilomat duke luftuar parazitët në trupin e njeriut

Verdikti: E pavërtetë, skemë mashtrimi

———————————————————————

Reklamimi i medikamenteve në formën e këshillave mjekësore nga mjekë të rremë është një nga format e dizinformimit të qëllimshëm në rrjet. I tillë është dhe artikulli që shfaqet në Facebook, nën titullin “Si u çlirova vetë në shtëpi nga papilomat e shëmtuara dhe largova të gjithë parazitët që helmonin organizmin tim!”

Në brendësi të ‘artikullit’, të gjitha rrugët të çojnë tek një “çaj bimor”, të cilin mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 7,8900 lekë, ose 3,900 lekë me ulje.

Artikulli pretendohet të jetë shkruar nga një Olta Halimi nga Durrësi, ku ajo dhe bashkëshorti i saj kanë një fermë të vogël familjare. 

‘Olta’ tregon se një intervistë me “profesorin e njohur, dr. Erjon Kelmendi, një parazitolog me përvojë disavjeçare dhe autor i disa studimeve shkencore.”

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e mësipërme është një foto ilustruese e marrë nga interneti, e cila mund të përdoret nga kushdo me 24 euro për ta blerë.

Me anë të Google Lens, Faktoje gjeti gjithashtu një version identik të artikullit të mësipërm në gjuhën angleze. Të vetmet ndryshime janë se në këtë version, gruaja në foto nuk prezantohet si Olta nga Durrësi por Emma Richardson nga Nebraska, ndërsa mjeku “Erjon Kelmendi” ri-pagëzohet “Jacob Mitchell.”

Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit online.