Pretendimi: Këto pamje tregojnë një zjarr në një rafineri nafte në Haifa pas një sulmi iranian

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————

Video e një zjarri të madh po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, me pretendimin se tregon pasojat e një sulmi iranian në një rafineri nafte në Haifa, Izrael. 

Video tregon një zjarr që digjet në një kompleks, ndërsa tymi i zi i trashë ngrihet në qiellin e natës. Një zonë urbane duket në sfond.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar më 15 qershor në platformën X nga një përdorues iranian, shoqëruar me përshkrimin: “Një zjarr në depot e naftës Shahran në perëndim të Teheranit po përhapet në depot e tjera, që duket se përfshijnë të paktën 11 rezervuarë.”

Pamje të ngjashme shfaqen edhe në një video në YouTube të publikuar nga Forbes, me titull: “Depoja e naftës Shahran në Teheran, Iran, është goditur nga sulmet izraelite.”

Video është xhiruar nga një kontribues në Getty Images.

Një pjesë e mbishkrimit në faqen e Getty Images thotë: “Zjarri dhe tymi ngrihen në qiell pas një sulmi izraelit në depon e naftës Shahran më 15 qershor 2025 në Teheran, Iran.”

Ministria e naftës e Iranit tha se dy depo, përfshirë Shahranin, ishin goditur.

Elementet e videos, përfshi rezervuarët e mëdhenj të naftës, terrenin kodrinor dhe zonën urbane aty pranë, përputhen gjithashtu me pamjet satelitore të depos Shahran në Google Maps.

Depo e naftës Shahran në veriperëndim të Teheranit

Megjithëse zyrtarët izraelitë konfirmuan se një rafineri nafte në qytetin bregdetar të Haifës u godit vërtet nga një raketë iraniane më 15 qershor, video e mësipërme në fakt tregon një depo nafte iraniane pas një sulmi izraelit.